Kjo Faqe eshte per shitje - This site is for sale - email albaniantimes@gmail.com
Showing posts with label Tradita. Show all posts
Showing posts with label Tradita. Show all posts

Veshja shqiptarçe, një traditë në zhdukje


"Jemi në një kohë kur kostumet origjinale është e pamundur të realizohen. Për këtë arsye kemi kërkuar që të pasurojmë fondin për t'i ruajtur këto kostume, por kemi hasur vështirësi ligjore për formën e veprimit mbi këto blerje", rrëfen drejtori i Muzeut Etnografik


ELBASAN - Disa familje me emër të besimit mysliman në qytetin e Elbasanit vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm veshjen popullore qytetare, e cila dhe e transmetuar brez pas brezi në shumë prej tyre i ka kaluar të 100 vjetët.

Ndër këto familje renditen pasardhësit e Sul Domit, familja Hasekiu, Bumçi, Miraku, Mullajonuzi, Dakli, Stringa, Xhepa, Luniku, Sejdini, Misiri, Gjevori, Selita, Haxhihyseni, Baholli etj që vazhdojnë të kenë të paktën një kostum të ruajtur me kujdes nga vjehrrat, nënat, nuset e bijat e tyre.


Por ndëkohë, drejtori i muzeut etnografik bën thirrje se tashmë po zhduken veshjet shqiptarçe (siç cilësohet veshja popullore qytetare e Elbasanit), si dhe personat që i punojnë ato. Në muzeun etnografik ndodhet një veshje shqiptarçe, por me vështirësi ekspozimi.


Edhe pse ishte menduar blerja e disa kostumeve të traditës së krahinës, mungesa e një procedure të thjeshtë blerjeje e ka bërë të vështirë realizimin e këtij projekti. Kreshnik Belegu thotë se prej vitesh nuk ka pasur mundësi të realizojë projektin për të pasuruar muzeun me kostume popullore.


"Jemi në një kohë kur kostumet origjinale është e pamundur të realizohen. Për këtë arsye kemi kërkuar që të pasurojmë fondin për t'i ruajtur këto kostume, por kemi hasur vështirësi ligjore për formën e veprimit mbi këto blerje. Kostumet janë në krahina dhe i kanë individë që nuk është se do të aplikojnë me oferta apo të bëhet tender mbi blerjen e tyre.


Berjen e fundit që kemi bërë, ka qenë aty nga vitet '80 dhe është edhe fondi aktual i muzeut. Për mbledhjen e këtyre kostumeve që janë drejt zhdukjes, duhet një projekt i përbashkët për grumbullimin e atyre më tipikeve dhe më të ruajturave".


I pyetur Belegu thotë se një kostum i Elbasanit në atë kohë ka kushtuar 25 000 - 42 000 lekë të vjetra. Zonat që kanë kostume me vlera janë Godoleshi që ka një kostum me rreth 27 pjesë, Shpati, Kërraba etj.


Sot një kostum qytetar i Elbasanit, sipas Belegut, kushton 1-2 milion lekë, ndërsa kostumi i krahinave kushton 500 000 - 1 000 000 lekë. Në muzeun etnografik vazhdon të mbetet një stendë bosh që pret ekspozimin e kostumeve popullore.


Drejtori i Trashëgimisë thotë se është shumë e rëndësishme që të gjendet një mundësi për blerjen e kostumeve pasi ato janë në zhdukje dhe nuk do të jetë e largët dita kur ato do të zhduken. Këto kostume nuk mund të prodhohen më, pasi nuk ekziston lënda e parë dhe nuk ka më gra që i punojnë ato.


"Sot ka shumë që thonë se prodhojnë kostume popullore, por ato janë vetëm imitime pasi kostumet popullore, sidomos ai i Elbasanit, që të realizohen duhet një kthim në kohë dhe një trashëgimtar i teknikës së realizimit të tyre që sot thuajse nuk ka më.


Në dyqane sot shihen shumë imitime, të cilat kushtojnë deri në 50 mijë lekë, por janë shumë larg origjinalit që mbetet pasuri e pak familjeve në sepetet e vjetra të dyerve të mëdha",- vijon Belegu.


Në një nga familjet e Elbasanit, një prej këtyre kostumeve vazhdon të mirëmbahet në sepet (arkë) me kujdesin dhe nikoqirllëkun që vazhdon nga vjehrra tek nusja e më tej. Kryefamiljari F.K. (nuk dëshiron të prononcohet me emër) thotë se janë joshur disa herë për ta shitur kostumin që përfshin të gjitha pjesët prej mëndafshi të qëndisura me ar, por kanë vendosur ta trashëgojnë si një pasuri jo thjesht monetare, por edhe shpirtërore.


Me prejardhje nga një ndër një familjet më të pasura të qytetit, vajza e ka trashëguar dhe kështu do të vazhdohet me këtë vepër të dorës së femrës elbasanase.
Sapo fillonte rritja e vajzës, tradicionalisht fillonte edhe paja e saj ndër të cilat një rëndësi të madhe kishte veshja shqiptarçe.


Për ato vajza që vinin nga familje të pasura kostumi porositej, ndërsa të tjerat mbylleshin dhe për vite me radhë punonin veshjen shqiptarçe, siç quhej edhe kostumi popullor qytetar, që do të shërbente edhe si veshje për martesën.


Një prej trashëgimtarëve që zotëron veshjen më të shtrenjtë qytetare të Elbasanit tregon se kostumi ruhet në arkën e vjetër duke i ndarë pjesët me napa dhe letra. Ky kostum është veshur shumë pak herë. Ai është i qëndisur me ar, ka pjesët e këmbëve të gjata, që për shumë familje ka kuptimin e shtresës sociale të asaj kohe. Madje në këtë familje ku ruhet ky kostum i rrallë i qëndisur me shumë ar, fatin për ta veshur e ka pasur nusja e shtëpisë.


"Nëna ime e ka trashëguar veshjen shqiptarçe qysh nga viti 1938 e deri sot. Ka disa familje të tjera që ruajnë kostume popullore qytetare të Elbasanit. Këto veshje ndaheshin në tre kategori: Seten nape që realizohej dhe vishej nga të gjitha shtresat, seten Shkodre ku lulet e arit realizoheshin me ngjyra dhe seten ari ku mbizotëron ari dhe zotëroheshin kryesisht nga familjet aristokrate dhe të pasura.


Një tjetër element që tregonte kategorinë janë këmbët. Sa më të gjata të ishin ato, aq më e pasur ishte familja". Ai tregon se ia kanë kërkuar për ta blerë kostumin popullor, por ai nuk e ka shitur.

Disa vite më parë një i huaj i ofroi 2800 euro, por ai e konsideron pasuri të madhe jo vetëm materiale, por edhe me rëndësi për familjen e tij duke mos e shitur. Nga tregimet e familjes, fesi (kapelja e mbushur me ar) është sekuestruar ndër pasuritë për shkak të vlerës së madhe. E vetmja gjë që i ka mbetur kësaj familje nga koha e artë e bollëkut dhe pasurisë është ky kostum i vjetër por me një vlerë të pamatë.


Veshja shqiptarçe dhe martesa

Kostumi kishte çerven, çitjanet, linja, jeleku, fesi me napolonat e floririt, kamet. Veshja shqiptarçe ishte traditë vetëm tek familjet myslimane të Kalasë. Kjo veshje shoqërohej edhe nga aksesorë të tjerë si sepeti ku mbahej, mbulesa e karrikes etj. Njëkohësisht në pajën e nuses do të bënte pjesë xhybja që mund të ishte ngjyrë vishnje ose blu, takmet e pajës, guvertja dhe boçja prej ari.


Veshja shqiptarçe vishej vetëm në ceremonitë më të rëndësishme dhe sidomos nga nuset. Kështu, pa mbaruar kostumi, vajza elbasanase nuk mund të martohej. Vajzat nga familjet e pasura e porosisnin, ndërsa ato që s'ishin në gjendje të mirë ekonomike e punonin vetë. Një punë e tillë kërkonte dy vjet kohë pa ndërprerje.


Nusja e re vishte kostumin popullor qytetar dhe po kështu në ceremonitë e tjera të dasmave apo ceremoni të rëndësishme një nuse e re vishte këtë kostum dhe kuptohej që ajo sapo ishte martuar. Ndërsa vajzat e reja nuk mund të vishnin veshjen shqiptarçe.


Ndryshe nga familjet myslimane, ato ortodokse nuk kishin një kostum tradicional të caktuar. Ato zakonisht vishnin një fustan të gjatë me bisht bezhë ose veshje evropiane.


Zbulohet kostumi origjinal popullor qytetar i Elbasanit
Si i ruajnë me fanatizëm familjet elbasanase veshjet që nuk përsëriten më
Vështirësitë për blerjen e kostumeve, një traditë që po shkon drejt zhdukjes

"MADE IN ALBANIA", TRADITA DHE TREGU


Ai është rreth të gjashtëdhjetave dhe ngjitet e zbret në këtë cep të vështirë rrugëtimi si një njëzetëvjecar, ose më saktë sic na thotë vetë ai, tamam sic “isha dikur në rininë time…”. Ne përshëndetemi dhe e ndjekim nga pas me një shikim tejet mallëngjyes. Është bashkëkombasi ynë, është njeriu me të cilin përshëndetemi shqip. Ai del c’do të dielë në një nga tregjet e Londrës dhe del vetëm për të blerë një nga produktet e mishit të traditës kosovare, që dikur I pat prodhuar dhe tregtuar vetë në Pejë e në Gjakovë. Axha Arshin e blen tashmë suxhukun kosovar, edhe pse jo “prej vakti”, sic shprehet vetë ai, vetëm të largojë sadopak mallin për prodhimin e traditës, për atë që dikur “lëpije e lëpinin gishtat të gjithë” , miq e të tjerë, sic shprehemi jo rradhe bisedave te lira..

Kështu patëm dëgjuar edhe për një tjetër tipike të traditës, pikërisht për rakinë shqiptare, të cilën nuk e gjen në treg, por dikush t’a sjell si dhuratë larg Atdheut meme ose prej atje ku ajo prodhohet ne fakt. Rastësisht dhe jo spontanisht, ose më saktë ashtu si vendasit e shprehin në të tyren sarkastike, “rrahur e jo tundur”, dikush e ka edhe në shitje një farë “rakie” me stampë shqiptare të sajuar e të etiketuar gjetkë, ose edhe suxhukun karakteristik kosovar te prodhuar në Turqi, Gjermani apo…, Spanjë dhe t’a shet si dikur ato “DS” poshtë banakut…, thotë një miku im. E gjitha s’do laps, s’do koment apo edhe ndonjë…”zihamet”. Ajo do pak traditë nga tradita dhe pak përkushtim ndaj asaj qe na ka bere te njihemi me pare se nga lufta... Kjo nuk është “Luks”, apo “Qiqra në hell”. Kjo është një mënyrë që tradita shqiptare që dikur ka bërë emër tregjeve të Europës, si përshembull me Konjakun “KORCA”, të zërë një vend e një emër të ri në këtë kohë tregjesh të mëdha ku edhe të vegjlit bëjnë emrin e tyre të madh…

SHEMBUJ dhe FAKTE

Në tregun më të madh botëror të peshkut, në Japoni mungon shpeshherë peshku “Tun”. Dhe a dini pse? Ai nuk gjendet në asnjë vend tjetër përreth Japonisë, vec Mesdheut. E këtu sigurisht edhe të vegjlit pra, kanë një emër të madh. Për të përmendur është tregtia e tij nga Malta, apo edhe nga Qipro…. Mirë do të thotë dikush se peshku është pasuri e dhënë nga Zoti, e në Shqipëri ai…, Le të vazhdojmë.
A nuk ka traditë Shqipëria, sic e thamë më lart dhe e dimë të gjithë me konjakun? A nuk kane tradite shqiptaret me produktet natyrore? Reklamohen ato në ekspozita dhe vetëm kaq. Partneriteti? Tregjet?…dhe me tej politika. ..”Kemi neshkruar e lidhur mareveshjen e tregtise…, bashkepunimit tregtar…”
Shqiptarët krenohen shpesh mes vetes. Mburren me traditat krahinore. Mburren me c’do gjë të traditës me vend e realisht shpirtpasur. Po a duhet harruar pastermaja, a duhet harruar tradita dhe shija prej saj? A duhet lënë që suxhukun e traditës së Kosovës t’a keqpërdorin te tjeret per komercialitet? Ashtu do te thosha se eshte edhe pastermaja, nje tjeter realitet I tradites mbareshqiptare, nje tjeter tradite me vlera te riperterira. Ajo kurre si ka munguar tregjeve shqiptare e sidomos ne Struge ate e gjen te varur ne murin e shitores deri ne pranvere…
Ne fakt dicka me ngacmoi te qendroj pak tek kjo tradite. Zakonisht, pastermaja fillon te pergatitet ne fund te nentorit e ne fillim te dhjetorit. Sipas nje te moshuari, nuk ka kalendar fiks. Periudha e favorshme eshte koha kur jane zhdukur mizat fluturake, gje qe tregon se dimri ka trokitur dhe mishrat per pastermane duhen therur. Dikur mishrat thereshin ne nje dite sipas lagjeve dhe fshatrave, per shkak se bagetite ishin prone e vete banoreve, duke krijuar nje dite feste e gezimi, vecanerisht per femijet. Cdo familje ther 3-4 koke bageti, kjo varionte sipas numrit te familjareve dhe zgjatjes se periudhes se dimrit. Ate dite te gjithe familjaret i linin punet e tjera te dites, ndersa femijet nuk shkonin ne shkolle. Therja kryhej nga kryefamiljari. Femijet mbanin prene e tyre ndersa grate merreshin me larjen e te perbrendshmeve, me te cilat pergatitej corba ose tara e shijshme. Mishi i therur varej ne cengel dhe lihej per te kulluar, deri ne mbremje, kur nis faza tjeter e perpunimit. Mishi behet vargje i ndare ne forme thelash, sa te sigurohet fortesia gjate tharjes. Mishi ne forme vargjesh varet ne drure ne nje dhome ku duhet te kete zjarr e prush me dru per te siguruar temperaturen e tharjes. Tharja vazhdon 2 jave dhe me pas mishi i thate behet thela e ruhet ne qeska beze, mundesisht i pudrosur me pak miell gruri. Shpatullat, ruhen ashtu sic jane, si mish i vecante per miq te paardhur ndonjehere me pare. E kjo traditë është kudo mes shqiptarëve në trojet e veta.Ajo është një traditë që edhe Shqiptarët të kenë vlerat e traditës në tregun Europian “Made In Albania”.

PAK PERTEJ TRADITES

Në disa krahina të banuara nga Shqiptarët ne trojet e tyre etnike me i preferuar per t'u bere pasterma, ka qënë dhe është mishi i dhise, pa harruar edhe atë të gjedhëve si lopes, vicit, kaut. Dhia eshte e ka mbetur simbol per shkak se rritet shume ne keto zona e eshte jo vetem e shijshme por edhe me leverdi ekonomike. Rituali i pastermase me mish dhie vazhdoi ceremonialin deri ne vitet para kolektivizimit te bujqesise se per kete periudhe mbi 30-vjecare pastemaja lau duart me shpikesit e saj. Do te vinte periudha e viteve '90, kur prona vajti tek i zoti, qe fshataret te kujtoheshin per pastermane e famshme qe eshte aq e shijshme, sa, sic thuhet ne keto ane, te lepish gishtat. Jo vetem vendasit, por edhe skraparllinjte sa vjen dhjetori dalin ne treg per te blere gjene e deshiruar per pastermane e fasuleve te dimrit.
Jane tashme te njohura shume asortimente me etiketen "Made in Albania", me te cilat eshte konkuruar denjesisht ne panaire kombetare apo nderkombetare. Mjafton te kujtojme rakine e famshme te Permetit,Skraparit, apo “Penestia” e Dibrës dhe kjo mjafton nga zierja e rrushit me prush qe eshte zanat vetem I shqiptarëve. Pra, eshte nje tradite, qe nuk fillon e as mbaron tek rakia. Eshte nje tradite me rituale te vecanta per periudha te vecanta kohe qe i ka bere shqiptarët të njohur historikisht në Europë dhe ne bote. (Nga Fatmir Terziu)
free hit counter Hits free counter Visitors