Kjo Faqe eshte per shitje - This site is for sale - email albaniantimes@gmail.com

Takimi Marrëveshje me Italinë për njohjen e pensioneve të emigrantëve

Drejtori i Kabinetit, Bitro, takon këshilltarin e ambasadës së Italisë në Shqipëri, Berlendi, ku diskutuan bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurimeve shoqërore dhe punësimit

Në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale, Shanseve të Barabarta u zhvillua dje një takim mes këshilltarit të ambasadës italiane, Xhuzepe Berlendi, drejtorit të kabinetit të ministrit të Punës, Kleves Bitro, dhe drejtoreshës së Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi. Në qendër të diskutimit ishte ndërmarrja e hapave konkrete institucionale për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore mes të dyja vendeve, përshpejtimin e procedurave për ratifikimin e marrëveshjes mes dy vendeve në fushën e punësimit, si dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat sociale.

Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, vuri në dukje se realizimi sa më parë i një marrëveshjeje mes dy vendeve në fushën e sigurimeve shoqërore do tu vinte në ndihmë rreth 420 mijë shqiptarëve që tashmë jetojnë në mënyrë të rregullt në shtetin fqinj si dhe rreth 200 mijë të tjerë që janë proces legalizimi apo vazhdojnë studimet në Itali. Nga ana e tij z.Berlendi premtoi që pala italiane do të asistojë strukturat shqiptare për rishikimin e legjislacionit në fushën e sigurimeve shoqërore, me qëllim përafrimin e tij me legjislacionin e vendeve të BE-së, si hap i parë në procesin e hartimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe. Gjatë takimit këshilltari Xhuzepe Berlendi shprehu dëshirën për organizmin e një vizite zyrtare së afërmi në Shqipëri të ministrit italian të Punës, gjatë së cilës do të diskutojë me homologun e vet shqiptar hapat e mëtejshëm për forcimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit në fushën e punësimit, sigurimeve shoqërore, shërbimeve sociale, etj. Takimi i zhvilluar dje në Ministrinë e Punës, vjen menjëherë pas vizitës së Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, në Itali dhe takimit të tij me Kryeministrin Silvio Berluskoni, gjatë të cilit është diskutuar rreth nevojës për rritjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve në të gjitha fushat. Entela Duraj

0 comments:

Post a Comment

free hit counter Hits free counter Visitors