Kjo Faqe eshte per shitje - This site is for sale - email albaniantimes@gmail.com

Parlamenti grek miraton ligjin për emigrantët

Parlamenti grek ka miratuar pas shumë debatesh ligjin mbi emigrantët e huaj që jetojnë në Greqi. Ky ligj është kundërshtuar ashpër si diskriminues nga emigrantët dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre. Pavarësisht nga shumë propozime për ndryshimin e ligjit, mbrëmjen e djeshme ligji ka kaluar gati ashtu siç ishte paraqitur nga Ministria e Brendshme dhe e Decentralizimit grek. Sipas ligjit, të gjithë emigrantët që kanë ardhur në Greqi në mënyrë të ligjshme që nga viti 2001, përfitojnë të drejtën për tu bërë qytetarë të përjetshëm në tokën helene.

Por nga ana tjetër, ligji përjashton gati 500 000 imigrantë të paligjshëm nga përfitimet për tu pajisur me dokumente të përhershme qëndrimi. Vetëm emigrantët që kanë hyrë ligjërisht në tokën greke dhe që kanë vizë, janë kualifikuar për të përfituar nga ky ligj. Ligji është kundërshtuar edhe nga forca opozitare Demokracia e Re, deputetët e së cilës kanë pohuar në Parlament se, kur të vijnë ata në pushtet, do ta shfuqizojnë sërish këtë ligj. Sipas shifrave të dhëna gjatë debatit në sallën e Parlamentit grek, fëmijët që do të përfitojnë nga ky projektligj nuk do ti kalojnë 15% të numrit të përgjithshëm të 200 mijë fëmijëve, të cilët vijnë nga familje emigrantësh. Gjithashtu, do të përfitojnë vetëm 130 vetë, të cilët disponojnë lejeqëndrimi të përhershme, 120 persona pa nënshtetësi të përcaktuar dhe 14 mijë me lejeqëndrimi 5- vjeçare. Ndërsa për sa i përket së drejtës së votës, të gjithë ata që e përfitojnë atë përbëjnë 0,65 % të rreth 11 milionë votuesve në të gjithë Greqinë.
Ligji
Ligji për marrjen e nënshtetësisë, kërkon që të dy prindërit e emigrantit duhet të jenë banorë të ligjshëm në Greqi, ndërsa fëmija të mos ketë më pak se 6 vjet shkollë në sistemin arsimor grek. Gjatë debatit publik që u zhvillua në Greqi mbi këtë projektligj, shumë aktorë kanë kundërshtuar ashpër duke pohuar se varianti fillestar krijonte lehtësira të mëdha për marrjen e shtetësisë nga emigrantët. Sipas dispozitave të reja, një fëmijë i lindur në Greqi me prindërit emigrantë do të duhet të ketë pasur edhe babanë edhe nënën e tij banues të ligjshëm të vendit, pesë vjet para se ai ose ajo të aplikojë për nënshtetësi. Fillimisht ishte thënë se vetëm një prind do të duhej të ishte banor i ligjshëm në Greqi. Gjithashtu, fëmijët do të duhet të provojnë se kanë shpenzuar së paku gjashtë vjet në shkollat greke dhe jo tre vjet, siç ishte thënë fillimisht nga qeveria. Një tjetër ndryshim i madh nga varianti fillestar është se aplikantët do të duhet të paraqesin letra rekomandimi nga të paktën tre qytetarë grekë. Këto rekomandime kërkohen në aplikimin për nënshtetësi.
Debate
Për më shumë se 5 orë kryetarët e partive parlamentare greke kanë shkëmbyer akuza të ashpra në lidhje me përmbajtjen e ligjit. Pro ligjit është shprehur vetëm PASOK. Partia Komuniste Greke dhe Aleanca e Radikalëve të Majtë janë shprehur kundër, pasi ligji, sipas tyre, më shumë pengon sesa ndihmon në dhënien e nënshtetësisë. Ndërsa opozita greke “Demokaracia e Re” dhe ekstremistët e djathtë “Alarmi Popullor Ortodoks” theksojnë se ky projektligj është i nxituar. Kryetari i opozitës greke, Antoni Samaras, u shpreh se do të anulojë ligjin sapo “Demokracia e Re” të marrë pushtetin. Nga ana e tij, Jorgo Karaxhaferi, kryetar i “Alarmi Popullor Ortodoks” kërkoi referendum përpara se ligji të kalojë në Parlament. Përpara dy vjetësh “Demokrcia e Re” kishte premtuar se shumë shpejt emigrantët do të kenë të drejtë vote. Por Samaras, në ndryshim nga Karamnalisi, e ka kthyer timonin e “Demokracisë së Re” më djathtas në një përpjekje për të marrë vota të humbura gjatë zgjedhjeve të fundit, vota të cilat u morën nga ekstremististi Jorgo Karaxhaferi.


Samaras: “Kufirin me Shqipërinë nuk e hapa unë”

Në kuadrin e debatit në sallën e Parlamnetit grek, ministri i Brendshëm, Janis Raguzis, akuzoi Kryetarin e “Demokracisë së Re”, Antonis Samaras, se është ai që më 1993 hapi kufirin me Shqipërinë. ”Duhet të japë shpjegime. Është ai që na akuzon që po e bëjmë Greqinë han, por a nuk ishte ai që më 1993 hapi kufirin me Shqipërinë. Si pasojë, mijëra njerëz hynë në Greqi. Dhe erdhëm ne më pas në Qeveri dhe vumë rregull. Legalizuam mijëra veta të cilët ju i kishit stivuar nëpër konteinera dhe stadiume”. “Dua tu përgjigjem të gjithë atyre që prej kohësh më akuzojnë duke përdorur gënjeshtra. Nuk isha unë ai që hapi kufijtë me Shqipërinë”, - tha Samaras, duke shtuar se më 1993, kur ai ishte ministër i Jashtëm, nuk kishte asnjë kompetencë për të hapur kufijtë. Duke iu drejtuar qeverisë, ai tha se “edhe nëse unë kisha mundësi ti hapja kufijtë, ju përse nuk i mbyllët?”. “Nuk besoj se jam unë fajtori që ra sistemi i Enver Hoxhës në Shqipëri. Edhe vende të tjera u përballën me rryma emigrantësh nga Shqipëria, të cilët ikën nga vendi i tyre për të kërkuar një fat më të mirë”, - tha Antonis Samaras.




Ligji i ri

Shtetësi shqiptarëve, kur Tirana të lejojë dyshtetësinë
Greqia nuk do tu japë shtetësi shqiptarëve, për sa kohë që kjo sjell si rezultat humbjen e shtetësisë së tyre shqiptare. Kjo do të bëhet në rast se Tirana nënshkruan një pakt dypalësh që të konfirmojë se shqiptarët mund të kenë një kombësi të dyfishtë.

Përfituesit
- Përfitojnë leje të përhershme qëndrimi të gjithë emigrantët që kanë hyrë në mënyrë të ligjshme në Greqi që nga viti 2001.
- Përjashtohen nga ky ligj të gjithë emigrantët e paligjshëm që llogariten në rreth 500 000.
- Lejon fillimin e një fushate të re legalizimi për të paligjshmit, ku do të shqyrtohen edhe dokumente të tjera për ata që nuk kanë hyrë me vizë. Këto dokumente mund të jenë fatura të ndryshme ose refuzime për dhënie vize etj.
- Ligji i ri do të fillojë të veprojë më 1 janar 2006.

Problemet e ligjit të ri
Intervista diskriminuese
Për të fituar lejen afatgjatë të qëndrimit emigranti duhet të njohë mirë gjuhën, historinë dhë kulturën greke. Për këto duhet të kalojë në provim. Gjithashtu, emigrantët që do të marrin lejen 5-vjeçare duhet të manifestojnë “moral dhe personalitet”.

Bashkimi familjar
Për të kryer bashkimin familjar emigranti duhet të ketë të ardhura stabël dhe shumë të larta, rreth 11 mijë euro në vit, plus 20% të kësaj shume për gruan dhe plus 15% për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç (14-18).

Të sëmurët
Dhënia e lejes së qëndrimit për arsye humanitare ndryshon rrënjësisht. Me ligjin e ri, një leje e tillë jepet tani e tutje kryesisht tek emigrantët që jetojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi.






Vijojnë protestat kundër masave të qeverisë

Në Greqi vijojnë protestat kundër masave shtrënguese të qeverisë Papandreu, të cilat kanë synim të reduktojnë deficitin buxhetor. Grumbulluesit e plehrave kanë dalë në rrugët e kryeqytetit grek dhe kanë protestuar duke i bërë thirrje qeverisë të anulojë masat e marra. Mbledhësit e plehrave, në fakt, kanë qenë në grevë pesë ditët e fundit. Koshat e plehrave janë tejmbushur dhe derdhur në rrugë. Protestuesit kanë mbajtur në duar një arkivol për të simbolizuar vdekjen e bonuseve dhe përfitimeve të punëtorëve. Punonjësit thonë se do të vazhdojnë grevën deri të enjten tjetër. Planet e Papandreut përfshijnë ngrirjen e pagave të sektorit publik dhe të pensioneve, heqjen e pagave suplementare dhe bonuseve për pushimet e punëtorëve. Plani përfshin dhe rritje taksash. Një grevë e madhe publike 24-orëshe është programuar si nga sektori publik ashtu dhe privat për më 11 mars. Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, që ka udhëtuar në vendet kryesore evropiane dhe në SHBA së fundi, nuk ka marrë premtim konkret për fonde nga këto vende, por ka siguruar vetëm mbështetje në betejën për të luftuar spekulimin e tregjeve financiare. Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se Greqia duhet të dalë vetë nga kriza e thellë e deficitit buxhetor.



SHBA heq vizat për Greqinë

Takimi i Kryeministrit grek në SHBA duket se nuk ka sjellë për popullin grek vetëm një mbështetje për krizën financiar dhe një zgjidhje për problemin e emrit me Maqedoninë. Mediat greke, gjatë gjithë ditës së djeshme, kanë pasur në fokus një tjetër lajm për qytetarët helenë. Pas takimit të Papandreut me Presidentin e SHBA, Barak Obama, është vendosur heqja e kufijve mes Greqisë dhe SHBA. Tashmë të gjithë qytetarët helenë, por edhe ata emigrantë që gëzojnë nënshtetësinë helene, do të mund të udhëtojnë pa viza drejt SHBA. Lajmi i publikuar nga mediat greke ka qenë i konfirmuar edhe nga kampi qeveritar, si dhe nga Parlamenti grek, i cili gjatë mbledhjes së djeshme ka përshëndetur këtë veprim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Policia ekzekuton shtetasin grek

Një shtetas grek u ekzekutua prej policisë greke, gjatë një përleshjeje me armë që ndodhi mëngjesin e së mërkurës në lagjen Dhafni të kryeqytetit grek, Athinë. Policia gjeti në trupin e viktimës një pasaportë që i përkiste një shtetasi shqiptar me emrin Renato Krasniqi, por nga verifikimi i shenjave të gishtave rezultoi se bëhej fjalë për një shtetas grek. Sipas policisë greke, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, në momentin që një makinë policie po kalonte rastësisht në rrugën Konduriotu. Policët panë dy persona të dyshimtë pranë një automjeti të markës Seat, i cili ishte i braktisur prej kohësh në këtë zonë. I ndaluan dhe në momentin që po i pyesnin dy të dyshuarit kanë nxjerrë armë zjarri dhe kanë qëlluar mbi policinë. Prej përleshjes me armë, e cila zgjati për rreth 10 minuta, mbeti i vrarë 30- vjeçari. Ndërsa i dyshuari tjetër mundi të largohet, dhe është në kërkim prej forcave të rendit. Në çantën e viktimës u gjet edhe një granatë difensive. Agjentët thonë se në trupin e viktimës u gjet edhe një sistem intercom në funksion, i ngjashëm me sistemin e komunikimit të rojeve të personave VIP, çka ka shqetësuar së tepërmi organet e rendit. Trupi i viktimës u ekzaminua prej mjekut ligjor dhe u dërgua në morgun e Athinës. Ndërsa Prokuroria e Athinës njoftoi se ka urdhëruar arrestimin e policëve, deri në zbardhjen e rrethanave.

0 comments:

Post a Comment

free hit counter Hits free counter Visitors