Kjo Faqe eshte per shitje - This site is for sale - email albaniantimes@gmail.com

Ishte kundër fejesës, shqiptari vret vjehrrin italian


Policia dyshon se autori i vrasjes së 56-vjeçarit italian është një emigrant shqiptar, i cili pak kohë më parë ishte fejuar me vajzën e viktimës. Ngjarja ka ndodhur, pasi italiani ishte kundër fejesës së të bijës me shqiptarin

ROMË - Një shqiptar është vënë në pranga nga policia italiane, pasi dyshohet për vrasjen e një 56-vjeçari nga qyteti i Romës, Itali. Burime nga policia fqinje kanë bërë të ditur se në pranga është vënë një emigrant 25-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Sipas medias, ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimës në Monterotondo, në provincën e Romës.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e dy ditëve më parë dhe hetimet e bëra kanë nxjerrë se shqiptari është i dyshuar për krimin. Burime të policisë së shtetit fqinj kanë thënë se italiani 56-vjeçar ka vdekur pas një goditjeje që ka marrë në zemër. Sipas të dhënave, shqiptari është i fejuar me vajzën e viktimës. Policia tha se e ka ndaluar shqiptarin në momentin që ishte duke u larguar në këmbë nga vendi ku ka ndodhur ngjarja. Policia tha se dyshohet që i ndaluari për vrasjen ishte duke pritur dikë tjetër që ta merrte me makinë, me qëllim që të shkonte në Romë.

Pas rindërtimit të ngjarjes, policia ka bërë të ditur se viktima dhe i dyshuari për krimin mendohet se janë takuar në shtëpinë e 56-vjeçarit. Nga të dhënat e grumbulluara dhe dëshmitë e marra, mësohet se italiani ishte kthyer në banesë për të mbaruar disa punë që kishte lënë pezull. Ndërkohë që emigranti shqiptar kishte shkuar në shtëpinë e njerkut të së fejuarës për të takuar këtë të fundit. Nga dëshmia e marrë deri më tani është mësuar se shqiptari kishte shkuar aty që të bisedonte me të fejuar për disa punë personale të çiftit. Por përplasja e dy personave kishte sjellë edhe sherrin. Dëshmitë e marra nga policia familjarëve të viktimës kanë treguar se shqiptari dhe italiani kishin pasur mosmarrëveshje edhe më parë. Gjithçka mësohet se kishte lindur pas fejesës së shqiptarit me vajzën e shtetasit italian. Ai nuk e kishte pranuar asnjëherë këtë lidhje dhe kishte pasur përplasje me “dhëndrin”.

***

Por dy ditë më parë mësohet se gjithçka ka kaluar në ekstrem. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia italiane, sherri mes dy personave dy ditë më parë ka kaluar në ekstrem. Pasi ishin zënë me fjalë me njëri-tjetrin, policia tha se shqiptari ka marrë një thikë dhe e ka goditur 56-vjeçarin disa herë. Por fatale ka qenë goditja që ka marrë në zemër, që i ka sjellë menjëherë vdekjen. Pas kësaj, 25-vjeçari ishte larguar në këmbë dhe është kapur nga policia në një fshat jo larg vendit të vrasjes së italianit. Aty ai është ndaluar nga një patrullë e policisë dhe pasi janë bërë disa verifikime, është shoqëruar për në komisariat. Pas kësaj, është ngritur edhe akuza ndaj shqiptarit, por burime mediatike kanë bërë të ditur se policia nuk ka shumë prova ndaj të ndaluarit. Hetimet ende nuk janë mbyllur dhe karabinierët janë duke kërkuar për bashkëpunëtorin e të ndaluarit.

Nuk i ktheu 2700 euro

Shqiptari merr peng biznesmenin italian

BRESHIA - Mbahet peng pronari i një ndërmarrjeje në Itali dhe në pranga vihet një shqiptar. Lajmi është bërë i ditur nga media e shtetit fqinj. Sipas tyre, Timoteo Arapi është vënë në pranga, pasi për 2.700 euro ka mbajtur peng për më shumë se dy e gjysmë orë pronarin e një mobilierie. Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën “Garibaldi”, në Lonato. Nga të dhënat është mësuar se shqiptari kishte porositur mobilie që nuk i kishte marrë, por që nuk i ishin kthyer dhe paratë. E kështu kishte nisur edhe përplasja, që përfundoi me pengmarrje. Por punonjësit e tjerë kishin njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka vënë në pranga shqiptarin. Historia kishte nisur që në vitin 2007. Shqiptari kishte porositur te ndërmarrja mallin, por nuk kishte marrë asgjë. Pas disa kohësh, dy pronarët italianë kishin ofruar mobilie tjera për shqiptarin, por ai nuk ishte pranuar. Shqiptari kishte kërkuar paratë. Ai kishte shkuar atje së bashku me një person tjetër, të cilin policia e ka marrë si dëshmitar. Ai donte paratë dhe asgjë tjetër. Këtu kishin nisur edhe kërcënimet. Ai kishte bërë edhe një denoncim ndaj italianit për mashtrim. Por dita e djeshme ka qenë më e rëndë. Arapi kishte shkuar në zyrat e ndërmarrjes italiane dhe kishte kërkuar t’i ktheheshin paratë. Por këmbëngulja e pronarit italian për të mos i dhënë paratë ka bërë që ai ta merrte peng. Shefi i komisariatit të zonës ka bërë të ditur se ai e kishte kërcënuar se do ta digjte me acid. Punonjësit që ndodheshin në ndërmarrje kanë mundur të lajmërojnë policinë. Kjo e fundit ka bërë negociata me shqiptarin dhe personin që e shoqëronte dhe më pas u ka vënë prangat. Policia ka ngritur disa akuza ndaj shqiptarit, por është duke hetuar për të sqaruar të gjithë ngjarjen e ndodhur. (Artan CENA)



Shqiptarët, “mjeshtrit” e pasaportave false në Çeki

PRAGË - Policia çeke tha se shkatërroi një organizatë kriminale që kryente falsifikim pasaportash ndërkombëtare, me qëllim shitjen e tyre për emigrantët. “Policia ka shkatërruar një bandë ndërkombëtare të dyshuar për prodhimin e pasaportave të falsifikuara çeke dhe furnizimin me to të emigrantëve të paligjshëm dhe ndoshta edhe grupet e krimit”, thuhet në një deklaratë që shpërndau policia. Zëdhënësi i policisë çeke në Pragë, Pavel Hantak, thotë se dy të dyshuarit janë një 41-vjeçar shqiptar dhe një grua çeke. “Ata u arrestuan muajin e kaluar në Republikën Çeke, ndërsa një burrë rumun u arrestua në vendin e tij”, tha zëdhënësi i policisë. Ai shtoi se autoritetet britanike po hetojnë një anglez 42-vjeçar, të dyshuar për implikim në këtë rast. Sipas policisë, persona të dyshuar për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, duke përfshirë edhe emigrantë iranianë, janë arrestuar në Britani, Gjermani dhe Spanjë. Hetimi filloi nga këto raste. Zëdhënësi Hantak tha të mërkurën, se policia është duke bashkëpunuar edhe me autoritetet në Austri, Francë, Greqi dhe Zvicër për hetimin e rrjetit kriminal, por ai nuk dha hollësi të mëtejshme.

Pesë shqiptarë në pranga, dyshohen si trafikantë

ROMË - Pesë emigrantë shqiptarë dhe dy italianë janë vënë në pranga gjatë ditës së djeshme nga policia në kryeqytetin e Italisë me akuzën e trafikut të drogës. Grupi kriminal u zbulua gjatë hetimeve që policia ishte duke zhvilluar mbi tentativën e vrasjes së pronarit të një bari në Romë. Gjatë intervistimit të personave me dijeni për ngjarjen, hetuesit mësuan se pronari i lokalit ishte i përfshirë në aktivitetin e shpërndarjes së kokainës. Faktet e zbuluara më pas gjatë hetimit gjetën se biznesmeni kishte pasur konflikte të vazhdueshme me një grup shqiptarësh dhe italianësh për shkak të tregtisë së drogës. Policia i vazhdoi hetimet e saj edhe sot në mesditë dhe arriti të arrestojë shtatë persona, 5 shqiptarë dhe dy italianë, të akuzuar për trafik narkotikësh. Policia tha se u sekuestroi të arrestuarve mijëra doza kokaine të gatshme për shitje, si dhe një shumë financiare prej 15 mijë eurosh.

0 comments:

Post a Comment

free hit counter Hits free counter Visitors