Sa shqiptarë kanë “firuar” në Britani? Besohet se janë të paktë shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar, që nuk e mësuan emrin shefit të Interpol Tiranës, i cili pa iu dridhur qerpiku, i deklaroi shtypit britanik se në këtë vend jetojnë 100 kriminelë shqiptarë me identitete të rreme, të cilët janë pontecialisht të rrezikshëm për të kryer krime të tjera në këtë vend.
Lajm bombë. I paparë ky lajm.
E thënë shkurt e shqip, qytetarët britanikë duhet të ruhen nga kriminelët shqiptarë.Po mbi çfarë baze duhet të identifikohen këta elementë kriminelë nga qytetarët e thjeshtë britanik? A nuk është gjithsecili mërgimtar shqiptar i ekspozuar ndaj hamendësimit të shtetasve britanikë? Nuk dihet nëse Interpol Tirana ka ndonjë zyrë shtypi që mund të kishte latuar këtë lajm, ku mund të mjaftohej me faktin se po bashkëpunohet me autoritetet britanike për kapjen e elementëve kriminelë, ashtu siç ndodh me shumë shtete të botës. Kjo deklaratë erdhi në një kohë, kur në Shqipëri u bë i mundur pajisja e qytetarëve me kartat dhe pasaportat biometrike sipas standardeve perëndimore. Kjo bëri të mundur rihapjen e një çështje tepër të ndjeshëm për mërgimtarët e këtushëm; Çështjen e identitetit.Asnjëra nga dy ambasadat shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë ajo e Shqipërisë apo ajo e Kosovës, nuk ka ndonjë shifër, qoftë edhe të përafërt, për numrin e shqiptarëve që jetojnë në MB, por besohet se numri i shqipfolësve shkon në 150 mijë. Këtu përfshihen shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe trojet të tjera shqiptare. Po a ka qenë e mundur hartimi i një liste me emrat e qytetarëve shqiptarë e Shqipërisë dhe më gjerë? Absolutisht jo. Gjatë bisedave me disa avokatë shqiptarë, mësojnë se pjesa dërrmuesve e shqiptarëve të këtushëm, janë të regjistruar si ish-shtetas jugosllavë, pra shqiptarë nga Kosova, apo nga Maqedonia. Sipas të dhënave kofidenciale të këtyre avokatëve shqiptarë, vetëm një pjesë e vogël në përqindje, (që mund të shkojë deri në 10%) janë regjistruar si shtetas shqiptarë, pra të republikës së Shqipërisë. Kjo ka një logjikë të thjeshtë. Nëse këta mërgimtarë do të paraqiteshin me identitetin e tyre të vërtetë, ata rrezikonin depërtimin, pasi Shqipëria konsiderohej si vend i sigurtë. Pra mënyra e prezantimit me një identitet tjetër, ua garantonte qëndrimin në Britani, apo së paku kishin shance shumë e shumë më të mëdha për të siguruar një leje-qëndrim në ishullin britanik.Me shpalljen e amnistisë në vitin 2002, pjesa dërrmuese e mërgimtarëve shqiptarë, sidomos ata që ishin familjarë ose që kishin lindur fëmijë në Britani, fituan të drejtën e qëndrimit, duke u bërë kështu qytetarë britanikë me të drejta të plota. Sipas disa zyrave avokatie këtu në Londër, vetëm një numër tepër i vogël mërgimtarësh (gati i papërfillshëm), “guxuan” që në format e plotësimit të amnistisë të deklaroheshin si qytetarë shqiptarë. Duhet theksuar se një praktikë e tillë është ndjekur edhe nga të gjithë refugjatë të kombësive të ndryshme, që kur vinin në Britani prezantoheshin nga shtetet me probleme, nga shtetet në luftëra, etj etj duke e patur më të lehtë që të përfitojnë një leje qëndrimi. Pak kohë më parë shumë prej shqiptarëve morën frymë lehtësisht, pas publikimit të lajmit, se një qytetare shqiptare e paraqitur si shtetase e Kosovës, por e “zbuluar” nga ambasada britanike në Tiranë, fitoi gjyqin “e identitetit”, në sajë edhe të mbrojtjes së shkëlqyer të avokatit shqiptar z.Naim Hasani. Asaj i ishte marrë pasaporta dhe rrezikonte dy vjet burg dhe depërtim nga Britania, por me fitoren e këtij gjyqi, çështja fatmirësisht nuk u shndërrua në precedent edhe për shumë e shumë raste të tjera të ngjashme. Po a do të munden këta mërgimtarë që të pajisen me karta identiteti, apo me pasaporta biometrike të shtetit shqiptar? “Çështja komplikohet më tepër nëse ata do të bënin një gabim të dytë, aq më tepër se duhet të japin shenjat e gishtërinjve dhe kurrsesi nuk mund të ndodhë, që një person të ketë të njëjta shenja gishtash dhe dy identitete” thekson njëri prej avokatëve të këtushëm shqiptarë.Por edhe shumë prej mërgimtarëve që janë procesin e pajisjes me pasaporta britanike , u kërkohet që të sjellin një dëshmi të identitetit të tyre, por deri më tani ka mjaftuar një vizitë pranë ambasadës së Serbisë në Londër dhe marrja e një letre, që personi në fjalë është “interesuar”. Ndërkohë zyrtarët e ambasadës së Kosovës, deklaruan se deri për një kohë të pacaktuar, kjo ambasadë nuk ofron asnjë shërbim konsullor. Ekzistencën e këtij problemi e konfirmoi edhe ambasadori në ikje i Britaninë në Shqipëri gjatë emisionit “Opinion”. Po me fëmijët e këtyre mërgimtarëve çdo të bëhet?Do të mbesin identitet-humbur si prindërit e tyre dhe do të kënaqen e të ndjerit shqiptar?Nuk dihet se sa hapësira i mbeten shtetit shqiptar për të ndërhyrë në këtë çështje, por besohet se do të mund të lëvizet ndonjë gur, aq më tepër kur një ditë mërgimtarët do të kenë të drejtën e votës.
0 comments:
Post a Comment